Rasti “Erikson” dhe mungesa e mirënjohjes në Shqipëri

Legjenda suedeze, Sven Goran Erikson, ka përjetuar çaste magjike në “Anfield Road” ku ka realizuar më në fund ëndrrën e tij të madhe për të drejtuar për një herë në jetë nga pankina skuadrën e Liverpool-it. Asnjëherë më parë ai nuk kishte pasur mundësi të drejtonte të kuqtë dhe klubi nga “Merseyside” si një institucion serioz dhe katedër e futbollit britanik e botëror, e respektoi me këtë gjest që vlen më shumë se miliona fjalë për sëmundjen e tij të pashërueshme që në pjesën më të madhe të tyre përkthehen në “mëshirë”.

Por le të zhvendosemi për pak çaste ne realitetin shqiptar. Si e respektojmë ne lojën që na jep aq shumë por i kthejmë mbrapsht vetëm dhunë, trukime e manipulime e pak respekt për emrat që punojnë nga pankina për të merituar atë rrogë që kërkojnë ta dërgojnë në shtëpi çdo fund muaji. Ah po, ka një rekord që e mbajmë…nderimet që u bëjmë emrave legjendarë pasi ndahen nga kjo jetë, sepse në të gjallë, pasi i kemi turpëruar me emërime e shkarkime pa vlerë, i lemë të humbur në pluhurin e harresës. Po me ata që janë gjallë? Asgjë, i largojmë me ceremoni si në rastin e Emanuel Egbo, Orges Shehit apo edhe Skënder Gegës e më pas u fshijmë edhe emrin nga e kaluara. Krahasuar me realitetin perëndimor të Liverpool, futbollin tonë e luajmë në Hënë, aty ku mungon forca e rëndesës së mirënjohjes.

 

Nga Pirro Bardhyli