Televizioni amerikan, ESPN, ka bërë një analizë të situatës së kapitenit të Barcelonës dhe ka nxjerrë disa përfundime. Sipas opinionistëve dhe gazetarëve në studio, dy mëtuesit për shërbimet e Lionel Mesit, Paris SG dhe Mançester Siti, po veprojnë në mënyra krejt të ndryshme, dhe sipas amerikanëve, francezët janë duke gabuar. Ata theksojnë se zhurma e madhe që ata kanë ngritur mbi të ardhmen e Leos, dhe për dëshirën e madhe që kanë për ta pasur në ekip, kanë krijuar shqetësime tek futbollisti.
Për vetë natyrën e tij, argjentinasi nuk ka dëshirë të ekspozohet kaq shumë, të ketë kaq zhurmë rreth tij, gjë që e shpërqëndron dhe e vendos në qendër të vëmendjes për arsye tjera nga ato që duhet të jenë, pra futbolli që luan në fushë. Leonardo, Paredes, Di Maria, deri edhe Verrati kanë folur me superlativa për një ardhje të Mesit në Paris, ndërsa trajneri i Barçës, Kuman, u detyrua të protestonte hapur për “mungesën e respektit”. Krejt tjetër duket strategjia e Sitit. Guardiola, sipas ESPN-së, nuk ka hequr dorë nga superylli, por ka vendosur të presë deri në prill apo maj për të kuptuar më mirë sesi do të shkojnë punët me Mesin. Shumëçka do të varet nga zgjedhjet presidenciale në “Kamp Nou”. Qendrimi i Pepit ndoshta është ai që e bën argjentinasin të ndihet më mirë dhe nëse vendos të largohet nga Barcelona, me gjasë do të shkojë tek Siti.
Sfidanti.al