Klubi i tij është global dhe për fanelën blu kanë luajtur disa emra të mëdhenj si Terri, Lampard, Drogba, Shevçenko, Lukaku, Hazar. Gjithsesi, për Çelsin nuk ka luajtur kurrë një legjendë si “Fenomeni” Ronaldo, Zidani, Ronaldinjo, Mesi apo Kristiano Ronaldo. Kjo verë mund të jetë e duhura për ta provuar për herë të parë, edhe pse bëhet fjalë për një “kampion të moshuar”. Pronari Bluve të Londrës, Tod Boehli, po mendon që ta marrë Kristiano Ronaldon nga Mançester Junajtidi, pasi portugezi kërkoi largimin. Nuk dihet se çfarë “pazari” mund të jetë mes klubeve, por dihet se Boehli ka folur me agjentin e CR7-ës, Zhorge Mendes. Miliarderi amerikan e di se çfarë do të thotë biznes, e di sesa përfitime mund të nxirren nga një kampion si Ronaldo, dhe se ai mund t’ia rrisë emrin Çelsit. Nga ana tjetër, me largimin e Lukakut e ndoshta të Vernerit, në ekip ka një vend bosh për një sulmues “race” i cili ndoshta nuk vrapon dot si dikur, por që shënon shumë gola, diçka që i duhet ekipit të trajnerit Tomas Tuhel.
Sfidanti.al