Kënaqësia ishte e madhe për fitoren e parë që i dha katalanasve 3 pikë dhe i mbushi me shpresë. Barcelona fitoi ndaj Dinamos së Kievit vërtet vetëm 1-0, por me dominim dhe me një golshënues që hyri në histori. Ky ishte Gerard Pike sepse njëri nga kapitenët u bë realizuesi më i vjetër për Barçën në Champions, duke e dërguar topin në rrjetë në moshën 34 vjeç e 260 ditë. Edhe pse qendërmbrojtës, Pike nuk ngurron të shënojë herë pas here, ndonëse jo me rregullsinë që ka pasur Sergio Ramosi. Ai theu rekordin që mbahej nga braziliani Silvinjo që kishte shënuar ndaj një tjetër ekipi nga Ukraina, Shahtarit të Donjeckut në dhjetor 2008, kur ishte 34 vjeç e 241 ditë. Në “Kamp Nou” ndaj Dinamos së Kievit “blaugranët” vërtet u shpëtuan nga Pikeja, por dominuan me 62 për qind mbajtje topi, 11 gjuajtje drejt portës (3 Dinamo) dhe 3 në kuadrat (0). Kornet ishin 11-0 për vendasit.
Sfidanti.al