Thanë se ishte mbrëmja e përsosur. Nuk mund të kishte emër tjetër një natë magjike kur ekipi fiton 4-0 dhe kualifikohet mes katër më të mirave të Europianit. Kombëtarja e Anglisë bëri të lumtur një vend të madh që mezi po pret ditën e bardhë. Interesimi ishte i madh, plot 20.9 milionë telespektatorë ndoqën ndeshjen, një rekord televiziv i këtij viti për çdo lloj programi. Yjet në fushë shpërblyen gjithçka, dhe fitorja 4-0 me Ukrainën u arrit me dy gola të kapitenit Kejn, të Megajerit dhe Hendersonit. Jehonë mediatike në Britani dhe Europë.
“Indipendënt”: Fluturim drejt qiellit! Katër gola ndaj Ukrainës e ngjisin Anglinë në gjysmëfinale të Europianit! Në foto janë dy heronjtë Harri Kejn dhe Rahim Stërling. “Sandi Telegraf” shkruan në mënyrë lakonike: Luanët me ulërima drejt “Uemblit”! Në foto është festimi pas golit të Xhordan Hendersonit ndaj Ukranës për 4-0. E përditshmja franceze “L’Ekip”, pasi ia kushton vendin kryesor Turit të Francës, nuk harron t’i bëjë jehonë Europianit: Danezët gjenialë, ndërsa anglezët ishin mbretërorë! Ja edhe italiania “La Gazeta delo Sport”, që ka në kopertinë kombëtaren e saj me trajnerin Mançini, por edhe anglezët: Uragani Kejn! Anglia i shënon 4 Ukrainës, dy herë kapiteni!
Sfidanti.al