E kush mund ta mendonte se ai do ta bënte, ndonëse ende nuk ka fituar asgjë? Garet Sauthgejt u bë i dyti trajner në historinë e kombëtares së Anglisë që arrin në dy gjysmëfinale të turneve të mëdhenj. Së pari e bëri në Kupën e Botës 2018 në Rusi, ku u mund në katërshe 1-2 nga Kroacia, ndërsa tani e bëri në “Olimpiko” të Romës me fitoren 4-0 kundër Ukrainës. Gjysmëfinalja do të luhet në 7 korrik në “Uembli” ndaj Danimarkës në orën 21:00. Më parë këtë e kishte bërë vetëm Sër Alf Ramsej, në Kupën e Botës në 1966 në Angli, si dhe në Kampionatin Europian në 1968 në Itali. “Tre luanët” fituan Botërorin në vendin e tyre pasi fituan 2-1 në gjysmëfinale kundër Portugalisë së Euzebios, dhe 4-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finalen e “Uemblit”. Në 1968, ata u mundën 0-1 në gjysmëfinale nga Jugosllavia pas golit të shënuar nga Dragan Xhajiç.
Sfidanti.al