Tani që mund të bëhen llogaritë me qetësi, Premier League sigurisht që ka fituar sërish por e rëndësishme është të dihet se cila është diferenca e merkatos mes futbollit anglez dhe atij europian. Shpenzime në total që kalojnë shumën e 2 miliardë eurove, me Chelsea-n që i vetëm ka kaluar kufirin e 500 milionëve. Rekordi i lojtarit më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez u thye dy herë, fillimisht nga 122 milionët, përfshirë dhe bonuset, që Arsenali i dha West Ham-it për Declan Rice dhe pastaj nga 133 milionët që Chelsea i pagoi Brightonit për Moises Caicedo-n.
Liverpooli e ka rindërtuar krejtësisht mesfushën, por të gjitha skuadrat e mëdha, duke nisur nga City, kanë shtuar lojtarë në këtë repart. Caicedo, më i paguari i të gjitha kohërave, është vetëm 21 vjeç, teksa 10 blerjet më të shtrenjta të verës janë të gjitha nën moshën 25-vjeçare, me një moshë mesatare 21.9 vjeç.