Duket se Premier Liga është “El Dorado” e trajnerëve, përfshi dhe e atyre italianë. Zërave të Fabio Kapelos e Karlo Ançelotit iu shtua edhe ai i Antonio Kontes. Tekniku i Interit bëri një krahasim mes Italisë dhe Anglisë, pas pyetjes që iu bë për skemën taktike dhe formacionin që skuadra e tij do të përdorte ndaj Sllavias së Pragës në Champions. “Vetëm ne në Itali jemi të fiksuar pas formacioneve, – u përgjigj ai, ashpër, – unë kam drejtuar në Angli, dhe atje as nuk e vret njeri mendjen për formacionin. Lejojeni trajnerin të bëjë punën e tij. Kryesorja është që çdo lojtar të luajë me kurajë dhe me ritëm të lartë, këto janë gjërat që interesojnë, të tjerat janë pa vlerë”.
Interi kryeson Serinë A me 9 pikë pas 3 ndeshjeve, ndërsa në Champions nuk mund të bëjë nënvleftësime, pasi është në grup të vështirë me Barcelonën dhe Dortmundit. Kjo do të thotë se ndaj Sllavias duhet luajtur për fitore, ndërsa nuk dihet gjendja fizike e sulmuesit Romelu Lukaku. “Do të vendos në momentin e fundit për Lukakun, – tha Konte, – nuk duhet të rrezikojmë, dhe kemi alternativa, por ai është i rëndësishëm”.
Sfidanti.al