Çfarë dashurie tifozësh, kërcënime klubit, vrasje policësh!

Historia është e vjetër edhe ende nuk po kalon. E tregoi qartë aksioni i fundit i policisë italiane që arrestoi krerë të grupeve të tifozëve fanatikë, ultras, mbi të cilët rëndojnë akuza të shumta. Flitet për grupet e organizuara të tifozëve të Juventusit, klubit më të fuqishëm të Italisë, por që vetëm tani, në fund të vitit 2019 pati guximin të denoncojë. Policia e theksoi këtë duke përgëzuar drejtuesit bardhezinj.

Imagjinoni se çfarë ndodh në një vend të zhvilluar europian, madje në pjesën veriore të tij, në një vend të vjetër të Bashkimit Europian. Në Torino, ka krerë të ultrasve që kërcënojnë klubin e tyre, vetëm e vetëm që të marrin sasi më të madhe biletash sesa lejohet, dhe e gjitha kjo përkthehet në të ardhura financiare. Një dashuri e vërtetë dhe e pastër për Juventusin, apo jo? Po ashtu, grupimi “Drugi” drejtohet nga Dino Moçola, njëri nga të arrestuarit, i cili në fillim të viteve 90-të përfundoi në burg për vrasjen e një karabinieri gjatë një vjedhjeje.

Një njeri që vjedh dhe vret, pas 20 vitesh e sheh veten të lirë, madje i lejohet edhe të udhëheqë grupet e tifozëve! Fabio Kapelo e pati thënë ndryshimin mes Italisë dhe Anglisë (sërish e njëjta temë), pasi siç thoshte ai, “në Angli, nëse shkel ligjin përfundon në burg, ndërsa në Itali tifozët ultras ndihmohen politikisht nga klubet”. Besohet, ndihmohen edhe nga të tjerë, pasi një nga akuzat për Moçolën dhe të tjerët është për rrjet të organizuar kriminal, në lidhje me Ndrangetën napolitane.

Sfidanti.al