Shumë shpejt, stadium i ri që po ndërtohet në kryeqytet do të hapë dyert, pra në vend të “Qemal Stafës”, një simbol me të cilin u rritëm do të kemi një tjetër, shumë më modern dhe sigurisht me kapacitet më të madh. I mungon vetëm emri, i cili është në shitje dhe është ekskluzivitet i atyre që thonë se po e ndërtojnë me paratë e tyre. “Pronarët” e rinj janë pikërisht ata që po e ruajnë ngrehinën në qendër të Tiranës, për ta paraqitur më pas në publik si një parajsë personale, me të cilën mund të lajnë një pjesë të mirë të mëkateve të tyre. Tashmë janë betuar për herë të fundit, se për ndeshjen ndaj Francës gjithçka do të jetë gati dhe në fakt nuk ka më mirë se të inaugurosh një impiant, së bashku me kampionët e botës. Ndërkohë që siç bëhet gjithçka në Shqipëri, pra pa aspak modesti dhe e mbuluar gjithmonë me dyshime, “Arena” e re, përpara se t’i dorëzohet futbollit është kthyer si të ishte një nga muzetë më të frekuentuar, gjithnjë i vizituar nga njerëzit e mediave, të cilëve u tregohen papërtesë detaje nga mrekullia që po lind. Ja ku po shtrohet edhe tapeti, gati tribunat, bashkë me to edhe ambjentet e shërbimit, të cilat do të jenë të shumta dhe të ndara sipas kategorisë së biletave.
Ndërkohë që kjo është vetëm ajo që duket, si dhe Franca që pritet të vijë jo më për futboll, por për t’u përdorur si shirit inagurimi, me qëllimin për t’i dhënë kështu ngjyra sa më spektakolare ditës së parë të ish- “Qemal Stafës”. Ajo që nuk na thuhet nga asnjë cicëron është, që në një vend ku faturat e dritave dhe të ujit po shqyhen nga pasha e taksave, stadium i ri duket sikur është ndërtuar në një ishull të izoluar, ku jeta funksionon si në parajsë. Sipas një denoncimi të fundit, ky objekt, duke përfshirë edhe kullën gjigande, do të ketë 0% tatim fitimi për 10 vite, 6% TVSH, përjashtim nga taksat vendore, truall publik “falas” etj.
Mirëpo, pas Francës do të mund të ndjekim edhe ndonjë derbi? Kjo është për t’u vendosur, pasi bosët e futbollit dihet që kanë dorë të rëndë dhe qeraja e ambjentit do të ketë një shifër ekzemplare. Këtu flitet për para të hedhura si në një invenstim privat dhe sigurisht që askush nuk ka menduar që t’i shërbejë publikut. Në të kundërtën, me një shpërndarje më proporcionale të fondeve, fëmijët nuk do të na coptoheshin duke u stërvitur dhe luajtur në fusha sintetike dhe kampionati nuk do të na ishte kthyer të zhvillohej në vakt drake… Kjo “Arenë” është thjesht mrekullia e tyre.