Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, do të dalë ditën e hënë në një konferencë për shtyp në ambjentet e FSHF-së, ndërsa lista e parë e hartuar prej tij, me emrat e futbollistëve që do të na përfaqësojnë kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë është publikuar ditën e djeshme. Por ajo që bie në sy është, se edhe në rastin Panuçi, i cili e ka Shqipërinë pothuajse debutim në profesionin e ri të trajnerit, lista duket të mos jetë autentike. Detaje të rëndësishme, për mungesa që bëjnë përshtypje, u publikuan ditë më parë në formën e një kronike, menjëherë pas një interviste të presidentit Duka. Aty u informuam, se Xhaka do të vazhdojë të mos jetë pjesë e Kombëtares për hir të sjelljeve të tij, si dhe Kaçe, i cili u kthye sërish në “non grata”, pas një rehabilitimi provizor nga De Biazi. Në fakt nuk është ndonjë mëkat të ndryshosh në një skuadër, pë të cilën edhe opinion i përgjithshëm është se ka nevojë për ndryshime. Por, tani duhet të kuptohet, nëse Panuçi e ka filluar detyrën e tij të re si i pavarur, apo ka pranuar për hir të karierës që pjesë e eskluzivitetit të listave të tij të jenë edhe shefat. Ndërkohë që Kombëtarja nuk është një skuadër e zakonshme, por përfaqësuese dhe si e tillë ka nevojë për më shumë mirënjohje. Xhaka dhe Kaçe po kalojnë një moment shumë të vështirë me skuadrat e tyre dhe ndoshta e meritonin një ndihmë, në këtë fillim të sezonit të ri.
Ndërkohë që lista e Panuçit është pasuruar me emra lojtarësh të rinj, që mund t’I shërbejnë Kombëtares së të ardhmes, pavarësisht se ndonjëri ka fillimisht një mangësi thelbësore. Ivan Balliu është një prej të përzgjedhurit e rinj të teknikut Italian dhe flitet për një mbrojtës të djathtë, të lindur në Caldes de Malavella të Spanjës dhe që është formuar në akademinë e Barcelonës. Futbollisti që aktualisht është pjesë e Mets në kampionatin francez, deri tani në moshën 25 vjeçare, nuk ka mundur të mësojë shqip dhe në një prononcim të parë në një ekran shqiptar ka folur në spanjisht. Ndërsa në fund duhen pritur sqarimet e Panuçit, i cili na detyrohet që të na kthellojë me detale për vendimet e tij të fundit, pasi Kombëtarja jonë ka humbur dy futbollistë të rëndësishëm. Eshtë e rëndësishme të kuptojmë që në fillim, nëse ish-mbrojtësi potent i ka idetë e qarta, apo do të jetë I pafuqishëm ndaj puthjeve “helmuese”.