Obamejang, basti i fundit i Vengerit, 70 milionë euro për lavdinë

Një skuadër është pasqyrë e trajnerit të saj. Arsenali nuk bën përjashtim dhe me Arsen Vengerin gjithnjë e më të lodhur mendërisht, edhe londinezët nuk po e ngrejnë dot kokën. Largimi i Aleksis Sançezit ishte goditja e fundit për tifozët, të cilët nuk e kuptojnë sesi mund të kthehet skuadra e tyre tek lavdia kur yjet largohen, por Venger ka vendosur edhe një bast të fundit përpara sesa të bëjë një largim të mundshëm në fund të sezonit.

Trajneri francez ka pranuar të paguajë 60 milionë paund stërlina, apo rreth 70 milionë euro për kartonin e sulmuesit të Dortmundit, Pjer-Emerik Obamejang, pra të sjellë në ekip një nga potencialet më të mëdha ofensive në botë, veçse me rrezikun e një karakteri jo shumë të qendrueshëm.

Venger po rrezikon shumë, por jo nga ana financiare. Transferimi i Aleksis Sançezit i solli 35 milionë paund stërlina, ndërsa 35 milionë paund të tjerë mund t’ia sjellë kalimi i Olivie Zhirusë tek Çelsi. Janari, pra, tek Arsenali do të mbyllej me fitim dhe Venger do t’i mbetej besnik famës së tij se është më shumë një llogaritar sesa një trajner futbolli. Problemi është nëse Arsenali do të arrijë të kthehet tek lavdia apo jo!

Sfidanti.al