Uestbruk në stol në Ndeshjen e Yjeve duket një mëkat i pafalshëm. Basketbollisti që ka shënuar më shumë pikë në sfidat e fundit të kësaj kategorie nuk mori votat e duhura nga publiku, dhe vendosi të bënte një deklaratë. Pasi realizoi tripëll dabëllin e radhës në ndeshjen e kaluar të Oklahomës ndaj Detroitit (fitore 121-108), me 31 pikë, 11 topa në tabela e 13 asistë, thuajse u përsërit kundër Filadelfias. Sërish sukses, 122-122, ndërsa “Ues” pati 37 pikë, 9 topa në tabela e 14 asistë, plus 2 vjedhje topi.
Ai ka qenë lojtari më i mirë i NBA-së gjatë këtyre ditëve, duke shënuar 146 pikë në 4 ndeshjet e fundit, me mesatare rreth 37 pikë për takim. Edhe pse nuk ka mesataren më të mirë të pikëve për ndeshje (udhëheq Xhejms Harden me 30.9 pikë për ndeshje, ndjekur nga Antetokumpo, Kërri, Lebron dhe Entoni Dejvis), sërish Rasëll ka shënuar shumë pikë në total. Ai ka realizuar 1249 pikë këtë sezon, vetëm 11 më pak sesa Lebron Xhejms që udhëheq. Uestbruk udhëheq me asistët, pasi ka 489 në total ndaj 408 të një specialisti si Xhejmsi. Jo vetëm kaq, por është në vendin e dytë në renditjen e vjedhjeve të topave, me 98, vetëm 2 më pak sesa shoku i tij i skuadrës, Pol Xhorxh.
Me 94 tripëll dabëll në karrierë (13 këtë sezon), Rasëll Uestbruk po i afrohet pa u ndalur vendit të tretë në renditjen e të gjitha kohëve, Xhejsën Kidit që ka 107. Rasëll Uestbruk po kthehet në nivelet e vjetshme, kur u shpall Lojtari më i mirë i Sezonit në NBA, dhe kjo do ta bëjë kampionatin edhe më të fortë.
Sfidanti.al