Sulmuesi i njohur argjentinas, Karlos Tevez, gjatë karrierës së tij, ka pasur mundësinë që të luajë me Lionel Mesin në përfaqësuese, por edhe me Kristiano Ronaldon te Mançester Junajtidi. Ky futbollist që u “vodhi” kinezëve 42 milionë euro vetëm brenda një viti, tanimë, është kthyer te klubi i tij, Boka Juniors, ndërsa synon që ta gjejë emrin e tij në listën e lojtarëve të përfaqësueses argjentinase që do të marrë pjesë, gjatë kësaj vere, në Kupën e Botës të Rusisë, duke qenë i vetdijshëm se një gjë e tillë do të ishte mjaft e vështirë, nëse ai do të vazhdonte që të luante në Kinë.
“Kristiano është ndryshe nga Mesi. Kur Leo nisi të luajë futboll, unë, në përgjithësi, nuk e kam parë atë shumë herë në fushën e lojës. Nga ana tjetër, Ronaldo qëndronte në fushë që nga mëngjesi deri sa errësohej, stërvitej me egërsi dhe përgatitej që të bëhej më i miri, ndërsa Mesi futbollin e kishte talent të natyrshëm. Mesi, thjesht, është diçka tjetër. Për të, është normale që të shënojë gol në çdo ndeshje”, theksoi ish-futbollisti i Junajtidit Karlos Tevez.
Sfidanti.al