Mesi, Suarez, por edhe arbitri, Barça e pamposhtur edhe kështu

Ndonjëherë lojtari më i mirë në botë nuk mjafton. Lionel Mesi e bëri të vetën dhe shënoi një gol të mrekullueshëm nga goditja e dënimit, po ashtu Luis Suarez e festoi siç duhet zgjedhjen si lojtari i muajit janar në La Liga, por Barcelona pati nevojë për më shumë.

Ashtu si në Itali, ku Juventusi e Napoli besohet se u ndihmuan nga gjyqtarët, edhe në Spanjë ndodh. Alaveshit nuk iu dha një penallti e qartë kur Ymtiti ndërhyri ndaj Munir El Hadadit, dhe po ashtu pati edhe vendime të tjera kundër miqve modestë.

Gjithsesi, trajneri Valverde u detyrua të rrezikonte. Me afrimin e Championsit, ai vendosi të linte në stol Zhordi Albën, Busketsin dhe Sergi Roberton, tre nga lojtarët më të mirë të Barçës, dhe kjo u ndje. Katalanasit nuk shkëlqyen edhe pse në fushë ishin Mesi, Suarez, Iniesta e Kutinjo. Mungonte “alter egoja” i Mesit, Zhordi Alba, mungonte “kontrollori” Buskets.

Mesi ishte sërish tepër i fortë, duke i lodhur pa fund markuesit e tij, duke e vënë në provë portierin Paçeko, dhe duke shënuar përfundimisht golin e tij numër 20 në La Liga këtë sezon. Gjithsesi, ai dhe Barcelona duhet të falenderojnë arbitrin që janë të pathyer dhe që janë të shkëputur 11 pikë nga Atletiko e vendit të dytë.

Sfidanti.al