Tenisi si çdo sport ka si bazë për suksesin edhe përgatitjen psikologjike, përveç asaj teknike dhe fizike. Rozher Federer është një nga sportistët me më shumë përvojë në këtë disiplinë, dhe është shumë i zoti për t’u orientuar drejt së ardhmes, edhe pse mosha 36-vjeçare nuk i jep shumë hapësirë për manovrim. Menjëherë pas fitores në Australian Open, pra në Grand Slemin e parë të vitit, zvicerani ka bërë planin për vitin 2018.
“Unë duhet të mendoj se mund ta mbroj titullin këtu vitin e ardhshëm, – shprehet ai, – unë nuk mund të bëj ndryshe, pasi nëse nuk do të besoj, nuk do të kem sukses. Natyrisht, nuk është e sigurt nëse unë do të jem këtu vitin e ardhshëm dhe nëse do të fitoj, por vetvetes duhet t’i them që mund t’ia dal”. Federer ka fituar 20 tituj Grand Slem, duke qenë rekordmeni dhe madje me diferencë të madhe me të tjerët, ndërsa pas dëmtimit dhe problemeve të vitit 2016, duket se është rinuar përsëri. Vjet ai fitoi Australian Openin dhe Uimbëlldonin, sivjet dëshiron të fitojë trofe të tjerë.
Sfidanti.al