“Nuk duam të jemi pjesë e korrupsionit që pamë në Brazil”

Këto janë fjalët e Lionel Mesit, menjëherë pasi Argjentina e tij fitoi ndaj Kilit dhe zuri vendin e tretë në Kupën e Amerikës, dhe menjëherë pasi ai mori kartonin e tij të dytë të kuq me kombëtaren, dhe të dytin gjithsej në karrierën e tij të lavdishme. “Ne nuk kemi nevojë të jemi pjesë e këtij korrupsioni që hasëm në këtë turne, – tha Mesi cituar nga gazeta “AS”, – (Gari) Medel është gjithnjë me nerva, gati të kalojë kufirin, por gjithsesi, gjithçka mund të kishte përfunduar siç duhet me nga një karton të verdhë për të dy”.

Mesi, më pas, aludoi për diçka të qëllimshme. “Ka mundësi që të kenë ndikuar fjalët që unë thashë së fundmi, ndoshta kjo ishte diçka e urdhëruar”, – deklaroi ai. Kapiteni i Argjentinës akuzoi “gjyqtarët e çmendur” për eleminimin e ekipit të tij nga Brazili në gjysmëfinale, ndërsa “bardhekaltërit” pretenduan për dy penallti. Ylli i Barcelonës u shpreh i kënaqur me vendin e tretë, duke parë rrethanat, dhe shprehu dëshirën që “gjyqtarët ta lenë Perunë të luajë siç duhet në finale, por nuk besoj se kjo do të ndodhë”.

Mesi e mori të kuqin që në minutën e 37-të, pas një përballjeje me Gari Medelin, ndonëse ai i kishte duart lart, por gjyqtari Mario Diaz de Vivar nxorri menjëherë kartonin për të dy. Argjentina fitoi 2-1 me gola të shënuar nga Aguero e Dibala, ndërsa Arturo Vidal realizoi me penallti për Kilin.

Sfidanti.al