Një “tapi” për trajnerin e Shpresave

FSHF i jep një mandat tjetër për ta bërë praktikisht Alban Bushin njeriun më jetëgjatë në krye të një ekipi me ngjyrat kuqezi. I emëruar në vitin 2016 në krye të Kombëtares U-21, Bushi është ende edhe sot timonieri kryesor i skuadrës që presupozohet si boshti i së ardhmes për ekipin e parë. Por cilat janë bilancet e Bushit në krye të stolit ku u konfirmua për të disatën herë jashtë çdo logjike? Asnjë kualifikim në një fazë finale të një europiani, thjesht rezultate që nuk e kanë zhvendosur asnjëherë skuadrën e vogël kuqezi nga pozicioni i një ekipi modest. Pavarësisht emrave të rëndësishëm që Bushit i kanë ardhur me shumicë në ekipin e tij, ai nuk ka arritur t’i japë një dimension tjetër kësaj skuadre, duke u fshehur përherë pas objektivit të furnizimit të ekipit të parë, objektiv që gjithashtu nuk është plotësuar tërësisht. Çfarë ka bërë të jashtëzakonshme në stol ky njeri që minimalisht do të kalojë edhe disa vite mbi dekadën në krye të stolit të ekipit që duhet të jetë burim furnizimi për Kombëtaren e madhe? Atë e di vetëm njeriu kryesor në “kullën e fildishtë” sepse statistikat, mediat dhe faktet flasin ndryshe. Tapitë në futbollin shqiptar ekyistojnë dhe këtë e kemi të vërtetuar tashmë në rastin e Alban Bushit.

Nga Pirro Bardhyli