Një gjerman kundër gjermanëve, Klop mbron Mesut Ozilin

Më në fund, Mesut Ozili e gjeti një aleat në mes të gjermanëve, dhe ky është Jurgen Klopi. Trajneri i Liverpulit i quajti “hipokritë” ata që kritikuan mesfushorin e Arsenalit për foton që bëri me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

“Ky është një shembull klasik i mungesës së informacionit dhe i mungesës së kuptimit, – u shpreh Klopi, – kur vjen puna tek politika, edhe gjërat më të vogla fryhen tej mase, ndërsa gjërat e mëdha fshihen, në mënyrë që të mos prishet reputacioni”.

“I njoh shumë mirë Ilkai Gyndoganin apo Emre Xhanin, nuk e njoh aq mirë Mesut Ozilin, por do të doja që ta merrja në shtëpinë time, – vazhdoi trajneri gjerman, – nuk dyshoj aspak tek besnikëria e këtyre djemve ndaj vendit tonë, Gjermanisë. Ndryshimi i vetëm është që ata kanë edhe diçka tjetër në prejardhjen e tyre (janë me origjinë turke, shënim Sfidanti). Por, ku është problemi këtu? Kjo diçka është e mrekullueshme”.

Klopi theksoi se në Kupën e Botës 2006, që u mbajt në Gjermani, multietniciteti ishte në modë, që mediat ngritën në qiell momentin kur prindërit e Gerald Asamoas dhe Mario Gomezit dolën për piknik me mish sgare, ndërsa tani është krejt ndryshe. “Kjo është arsyeja që unë e quaj këtë gjë hipokrizi”, – përfundoi trajneri i Liverpulit.

Sfidanti.al