Nga “parajsa në ferr”, tek Interi Konte del kundër klubit!

Kur është me nerva nuk i del dot përpara as presidenti Çan dhe as drejtori Marota. Antonio Konte është nga ata profesionistë që nuk përmbahet kur i preket sedra dhe kur kërkon më shumë nga bashkëpunëtorët. i drejtpërdrejtë, ai shpërtheu hapur kundër klubit, duke i dalë në mbrojtje lojtarëve të tij pas humbjes në Dortmund. Të kuptohemi, nuk është sulm asgjësues, por një ftesë për të reaguar sa më shpejt, dhe diçka e mbartur në zemër për disa kohë.

“Na ndodhi si në Barcelonë, madje më keq sepse ishim dy gola para, – tha trajneri, – më vjen keq të them të njëjtat gjëra, dhe nuk dua të merrem me justifikime. Shpresoj që këto ndeshje të ndihmojnë për të kuptuar ata që duhet të kuptojnë. Nuk arrij dot të qortoj djemtë, që po bëjnë maksimumin, por ka nga ata që kanë luajtur 6 ndeshje radhazi. Sonte e kompromentuam kualifikimin dhe për mua kjo është një plagë. Unë e ndjej dhe shpresoj ta ndjejnë edhe të tjerët. Nëse edhe ata e ndjejnë kështu, atëherë jemi në rrugën e duhur”.

Më pas, Konte bën disa zbulime, duke thënë se “i zura besë disa situatave që nuk duhej t’u zija besë, dhe e kam fjalën për limitet e skuadrës”. “Lexoj shumë lavdërime për blerjet tona, por që të gjithë kemi bërë ndonjë gabim, – vazhdoi tekniku, – jemi kaq sa jemi dhe do të shkojmë në luftë kështu, unë i pari”. Së fundi, trajneri tregon edhe një dobësi tjetër. “Kemi lojtarë që nuk kanë fituar asgjë, me përjashtim të Godinit, – deklaroi ai, – Barela vjen nga Kaljari, Sensi nga Sasuolo. Le ta mbajmë kokën ulur, pasi pozicioni në kampionat nuk duhet të na krijojë iluzione”.

Sfidanti.al