Megjithëse kishim shënuar vetëm një gol gjatë të gjithë fazës eleminatore të Nations League për një javë të tërë na kishin bërë llogaritë, se si mund të kualifikoheshim për në Final Four. Dhe fillimisht do të na duhej një fitore 4-0 ndaj Skocisë në “Loro Boriçi” dhe në fund gjetën vetëm numrin e golave, pasi ishin miqtë që na masakruan me rezultatin tonë të preferuar. Skocezët në fakt kishin ditë që na mundnin, me alegrinë e tyre në rrugët e Tiranës dhe të Shkodrës, me kiltet karakteristike dhe në fund me një mori golash gjatë 90 minutave të lojës. Frezer, Fleçer dhe dy herë Forrest ishin ata që mbyllën llogaritë me skuadrën e Panuçit, ndoshta ekipi më e dobët që kemi pasur, të paktën në dekadën e fundit.
Tekniku Italian e nisi takimin me surpriza në formacionin e parë. Kështu në portë u preferua Berisha në vend të Strakoshës, Kaçe e nisi si titullar, megjithëse u thirr në Kombëtare, pasi Loret Sadiku e refuzoi ftesën, ndërsa në majën e sulmit nuk ishte Balaj por Manaj. Ndërsa surpriza më e madhe e mbrëmjes ishte Mavraj, i cili bën një veprim amatoresk në të 22 minutë, duke goditur me kokë kundërshtarin dhe e la skuadrën me 10 futbollistë. Ndërsa pjesa tjetër e ndeshjes ishte thjeshtë për t’u harruar, me një skuadër fare të paorganizuar, të padrejtuar, aq të paaftë, saqë 30 minuta përpara përfundimit të takimit, të gjithë luteshim që ndeshja të përfundonte pikërisht në atë moment. Fatkeqësisht tani kemi një skuadër fare të zakonshme, inferiore, e cila nuk përfaqëson më askënd.