Morata: Mendova të inskenoja dëmtimin për të mos shkuar në Euro 2024

Alvaro Morata është një nga lojtarët që ka vuajtur së tepërmi depresionin dhe problemet e shëndetit mendor. Sulmuesi i kombëtares spanjolle ka folur hapur në një dokumentar, për periudhën e vështirë që ka përjetuar pas eliminimit të Atletiko Madrid nga Borusia Dortmund në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve vitin e kaluar. Ish-lojtari i Real Madrid, Ccelsit, Juventusit dhe Milanit rrëfen se përballja me kritikat dhe presionin e madh pas asaj ndeshjeje e çoi në një gjendje të rënduar psikologjike.

Morata pranon se ndjeu frikë ekstreme, stres fizik dhe shpirtëror, si dhe një dëshirë për t’u izoluar nga gjithçka.

“Kur përfundoi ajo ndeshje, isha vetëm për një kohë të gjatë në dhomat e zhveshjes. Doja vetëm të qaja. Nga ai moment nisi gjithçka. Më dhimbnin këmbët, më merrej fryma, më shtrëngohej gjoksi. Isha i frikësuar për gjithçka. Më kalonin mendime vetë-shkatërruese në mendje”, ka rrëfyer Morata. Ai thotë se shkoi deri në atë pikë sa mendoi të sajonte një dëmtim për të mos marrë pjesë në Kampionatin Europian.

Në një telefonatë me mjekun e kombëtares së Spanjës, ai shprehu dëshirën për të mos qenë pjesë e turneut, duke mos ndjerë më asnjë entuziazëm për futbollin. Megjithatë, ky moment i vështirë u menaxhua me ndihmën e dy figurave kyçe: Andrés Iniesta dhe trajnerit Luis de la Fuente.

Ish-mesfushori i Barcelonës, i cili vetë ka përjetuar një periudhë të rëndë depresive pas humbjes së mikut të tij Dani Jarke në vitin 2009, ndau përvojën personale me Moratën dhe e ndihmoi të rifitonte besimin. Edhe trajneri i kombëtares e mbështeti fuqishëm për të qëndruar i angazhuar me ekipin.

sfidanti.al