Vendimi i Këshillit të Drejtësisë së Bashkimit Europian i ka dhënë forcë mbështetësve të kompeticioneve alternative, kundrejt atyre që organizon UEFA, e thënë ndryshe Super Ligës. Reagimet kundër kanë qenë të shumta, madje edhe me mjaft prej klubeve të Serisë A që i kanë dalë përkrah formatit aktual të UEFA-s, si Interi mbi gjithë të tjerët, i cili i deklaron besnikëri organizatës së drejtuar nga Aleksandër Ceferin. Ndërkohë Milani ka vendosur që të mos prononcohet, më saktë të qëndrojë në distancë nga formati që mbështet, me presidentin Paolo Skaroni, i cili kërkon të marrë kohë. “Kam lexuar një komunikatë për shtyp prej 20 rreshtash dhe nuk është një bazë e mjaftueshme për të pasur një opinion përfundimtar mbi çështjen. Ne kemi nisur një proces për t’u konfrontuar me të gjitha organet, duke nisur nga Liga e Serisë A. Një këshill administrativ ekziston, por është shpejt për opinione nëse jemi me këtë apo me atë. Mund të them se sistemi i futbollit italian po merr grushte çdo ditë, ndërsa ne klubet nuk kemi pasur asnjëherë përfitime. Deri pak javë më parë mund të tentonim të afronim kampionë të huaj me një trajtim fiskal të privilegjuar, por edhe atë na e hoqën, kështu që pse të mos dëgjosh alternativa të tjera, nëse janë fitimprurëse, duke qenë se shteti ynë nuk ndihmon klubet e tij?!”, përfundoi reagimin e tij Skaroni.
sfidanti.al