Mijëra tifozë holandezë në Mançester, policia bën “shtetrrethim”!

Një plan masiv nga ana e policisë britanike ishte i nevojshëm për të përballuar një “ushtri” të vërtetë të tifozëve holandezë që kishin mbërritur në Mançester për ndeshjen e Ligës së Europës. Mediat britanike njoftuan se në qytet ishin të pranishëm 7 500 tifozë të Fejënordit që luajti ndaj Junajtidit në orën 21:05. Rreziku ishte i madh për përplasje, për shkak të numrit tepër të madh të holandezëve dhe namit të keq të grupimeve ultras, që mund të sulmoheshin nga grupet vendase. Për fat, masat e mëdha të marra, bënë që të mos kishte përleshje, ndonëse një qytetare e Mançesterit u godit në fytyrë me shishe plastike uji nga tifozët miq, ndërsa po kalonte rrugës aty pranë (në foto). Policia ishte edhe më shumë e shqetësuar sepse kishte të dhëna se rreth 4 500 holandezë kishin blerë bileta në sektorin ku duhej të ishte publiku vendas.