Dita e nesërme do të jetë shumë e veçantë për Amir Abrashin. Mesfushori i kombëtares do të luajë në Bundesligë kundër kryesuese krejt të papritur, RB Lajpcig. Skuadra “me krahë” e financuar nga Red Bulli, ka lënë pas edhe Bajernin, ndërsa Dortmundi është 6 pikë prapa, por do të ketë një tjetër rival në rrugën e gjatë drejt titullit kampion. Frajburgu do të ndeshet me Lajpcigun, dhe bëhet fjalë për dy njohje të vjetra.
Ekipet u ndeshën vjet në Bundesligën e dytë dhe Frajburgu pati bilanc më pozitiv, me një fitore 2-1 dhe një barazim 1-1. “Ne e dimë sesi mundet Lajpcigu, – u shpreh Abrashi, për gazetën “Bild”, – ia kemi dalë vitin e kaluar dhe mund ta bëjmë përsëri”. Gjithsesi, mesfushori i kombëtares thotë se duhet lënë pas e kaluara. “Nuk ka rëndësi ajo që ka ndodhur, po ajo që pritet të ndodhë, – u shpreh ai, – duhet të jemi 100 për qind të fokusuar dhe të luajmë me agresivitet, pasi ndryshe nuk mund t’ia dalim”. Abrashi ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Frajburgut këtë sezon.