Uejn Runi është tani rekordmen i Mançester Junajtidit. Ai ka shënuar më shumë gola në Europë sesa çdo lojtar tjetër i “djajve të kuq”, ndërsa skuadra e Zhoze Murinjos jo vetëm shmangu eleminimin, por edhe është pranë kalimit të turit në Ligën e Europës. Suksesi 4-0 ndaj Fejënordit në “Old Traford” ishte hakmarrje për disfatën në Holandë, por më shumë një deklaratë force. Runi ka shënuar 39 gola, një më shumë se Rud Van Nistelroi, ndërsa pas tij vijnë emrat e shquar Rajan Gigs, Denis Lou, Pol Skoulls dhe Sër Bobi Çarlton. Huan Mata, Zllatan Ibrahimoviç dhe Xhesi Lingard shënuan rrjetat e tjera. Junajtid është i dyti në grup me 9 pikë, vetëm 1 më pak se Fenerbahçe.
Roma kualifikohet falë Edin Xhekos. Me Françesko Totin shpesh të dëmtuar, mendon boshnjaku, shumë i kritikuar deri vjet. Sulmuesi realizoi tri herë në suksesin 4-1 ndaj çekëve të Viktoria Plzenit, ku deri pak ditë më parë luante edhe Ergys Kaçe. Me këtë sukses, Roma ka 11 pikë, ndaj 7 të Astrës së Ploeshtit që triumfoi 2-1 në Vjenë ndaj Austrisë, por që nuk është kualifikuar ende.
Atletik Bilbao dhe Genk janë të kualifikuar. Baskët mundën 3-2 dhe eleminuan Sasuolon pa përvojë, ndërsa belgët ia dolën minimalisht 1-0 ndaj Rapidit të Vjenës.