Interi i Milanos është viktima më e madhe e ndeshjeve në grupe në Ligën e Europës. Skuadra e shquar e Serisë A, tri herë kampione e Europës, u eleminua kur duhet edhe një ndeshje për t’u luajtur pas disfatës së rëndë në Izrael. Hapoel Ber Shevaja, edhe pse ishte në dizavantazh të dy golave (shënuan Ikardi dhe Brozoviç), nuk u dorëzua, por përmbysi shifrat. Maranjao shënoi për 1-2, pastaj portieri mik Handanoviç doli me të kuqe dhe në penalltinë që pasoi, shënoi Nuakaeme. Pikërisht në fund Ben Sahar i dha fitoren izraelitëve. Në këtë grup, Sparta e Pragës mundi Sauthemptonin në Çeki, 1-0, me gol të Naimonesusë. Sparta kualifikohet me 12 pikë, Sauthempton e Hapoel kanë nga 7 pikë, Interi i eleminuar me 3.
Shqiptarët duhet të presin për të parë nëse do të arrijnë ta kalojnë turin. Burim Kukeli ishte titullar për Zyrihun, ndërsa në minutën e 79-të atë e zëvendësoi pikërisht Armando Sadiku. Zyrihu barazoi në fushën e vet me Vijarrealin në grupin L. Soriano shënoi për miqtë, dhe Rodrigez barazoi me penallti 3 minuta para fundit për zviceranët, ndërsa renditja është shumë interesante. Osmanlispori (u mund 1-2 nga Steaua) ka 7 pikë, Vijarreal, Zyrih e Steaua nga 6.
Ansi Agolli me Karabaku pësuan papritmas një humbje të rëndë, 0-3, në Çeki ndaj Sllovanit të Liberecit. Vuh dhe Komliçenko (2 herë) shënuan për vendasit me Agollin titullar dhe në fushë 90 minuta. Fiorentina, po papritmas, u mund 2-3 në Firence nga PAOK-u i Selanikut. Fiorentina ka 10 pikë, PAOK e Karabak nga 7, ndërsa Liberec 4.
Zenit, Shahtar, Shalke dhe Ajaksi ishin të kualifikuar që më parë. Të kualifikuar të tjerë janë Anderlehti, Krasnodari, Sparta e Pragës.