Mesi mund të ketë një “gol jete”, flitet se pagoi 1.6 milionë USD për Ronaldinjon!

Nuk luajtën gjatë bashkë, por miqësia mbeti. Lionel Mesi dhe Ronaldinjo krijuan një dyshe ëndrrash tek Barcelona për aq kohë sa e veshën njëkohësisht fanelën katalanase, dhe duket se kjo lidhje jo vetë që i rezistoi kohës, por edhe duket se dha një efekt të rëndësishëm. Lajmet nga disa media ndërkombëtare janë që ishte pikërisht kapiteni i Barçës që pagoi 1.6 milionë USD për të liruar nga burgu Ronaldinjon dhe vëllanë e tij, Roberto Asis, që kishin mbetur prej 1 muaji në qeli në Paraguaj.

Ish-superylli brazilian u akuzua se kishte hyrë në shtetin latinoamerikan me pasaportë false, diçka që ai e pranoi. Nuk ka ndonjë pohim zyrtar, as nga ana e Ronaldinjos, dhe as nga ajo e Mesit, që argjentinasi të ketë paguar 1.6 milionë dollarët, por gjithsesi këto fjalë kishte kohë që qarkullonin. Gjithsesi, media të njohura botuan, 3 javë më parë, lajme se Mesi ishte shprehur se nuk kishte ndërmend të paguante për ish-shokun e tij, ndërsa flitej për një shumë prej gati 4 milionë USD.

Ronaldinjo do të vazhdojë të gjykohet në Paraguaj, por tashmë i vendosur në arrest shtëpie në kryeqytetin Asunsion, dhe ka zgjedhur të banojë në një hotel. Vitet e fundit, edhe pse kishte kohë larg Barcelonës, legjenda braziliane kishte bërë vizita në kompleksin stërvitor, ku ishte takuar me Mesin dhe futbollistët e tjerë.

Sfidanti.al