UEFA në një koflikt 100 për qind slloven, Çeferini akuzohet si “kriminel”!

Një konflikt i papritur ka shpërthyer mes UEFA-s dhe një shteti të vogël të Ballkanit. Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, është akuzuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, për politikën që organizata e tij ndoqi për koronavirusin. Kryeministri Jansha akuzoi Çeferinin, që gjithashtu është slloven, se ai u soll në mënyrë të verbër, të papërgjegjshme dhe madje kriminale, duke lejuar organizimin e ndeshjeve të kupave të Europës, ndërsa në kontinent po shpërthente epidemia.

Jansha e pati fjalën për ndeshjen e Championsit, mes Atalantës dhe Valencias, që u luajt në “San Siro” në prani të 45 000 spektatorëve, dhe që nga shumëkush është cilësuar si “bombë biologjike”, sepse pas saj shpërtheu epidemia e koronavirusit në Lombardi, e më pas në Spanjë. “Ishte një veprim i papërgjegjshëm, një veprim kriminal, – u shpreh kryeministri slloven, – ajo e përhapi edhe më shumë sëmundjen, duke mos kursyer as Slloveninë. Dhjetëra mijë njerëz humbën jetën dhe vazhdojnë të vdesin, dhe kjo për shkak të verbërisë dhe lakmisë për para”.

Më herët, Çeferini kishte akuzuar qeveritë në Europë, mes të cilave edhe qeverinë sllovene, për trajtim të gabuar të krizës së virusit, sidomos ne lidhje me ndihmën që shtetet duhet të japin për futbollin. Në Slloveni flitet se Çeferin mund të hyjë në politikë pas përfundimit të mandatit në UEFA, pra të jetë kundërshtar direkt i kryeministrit të tanishëm.

Sfidanti.al