Me Serbinë është FSHF, jo Shqipëria!

Ka një debat shumë të fortë, kryesisht nga matanë kufirit për atë që e cilësojnë si “tradhtinë” e FSHF-së ndaj FFK-së kryesisht por edhe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në ato troje. Shqipëria është vënë në shënjestër edhe pse jo nga të gjitha rrymat sepse “Plisat” apo ndonjë personazh tjetër e ka ndarë “shapin nga sheqeri” që në këtë rast është “Dukën nga Shqipëria”. Vendimi është personal për të kandiduar bashkë me Serbinë për organizimin e Euro 2027 për kategorinë U-21. Askush nuk u konsultua me askënd, thjesht u mor një vendim i pabazuar në asnjë logjikë historike apo partiotike. Nuk kishte mundesi Shqipëria që minimalisht të planifikonte një organizim me Greqinë që në këtë rast ka edhe infrastrukturën më të mirë e më favorizuese? Po me Maqedoninë e Veriut? Pse jo me Bullgarinë dhe në fund të fundit edhe me Kosovën që gjatë vitit të fundit ka lëvruar 200 milionë euro për infrastrukturën e në këtë mënyrë i jepet edhe një nxitje më shumë zhvillimit të futbollit matanë kufirit në oborrin e vëllezërve tanë? Çfarë i shtyu “arrogantët” e FSHF-së për të zgjedhur Beogradin dhe jo Prishtinën? Nuk kanë guxim ta thonë dhe për ta mbuluar skandalin përpiqen të largohen sa më shumë nga e vërteta duke dalë me komunikata “patriotike” ku kujtohen për të thirrur në Euro 2024 legjendat kuqezi.

Nga Pirro Bardhyli