Me Mukokon e goditjen e 3 shtyllave, pse të mos shkojë Dortmundi në Champions!

Kaq e madhe është shenja që po lë ky “fëmijë” saqë edhe “bisha” Erling Haland është i detyruar t’i lerë “bashin e vendit”. Jusufa Mukoko nuk rresht së thyeri rekorde këtë sezon në Bundesligë, dhe falë klasit e rinisë së tij, ashtu si edhe stabilizmit që po i bën ekipit trajneri Edin Terziç, Dortmundi është shumë pranë zonës Champions. Mukoko shënoi në minutën e parë shtesë, dhe tani ka 3 rrjeta në kampionat, një rekord për moshën 16-vjeçare. Ai është debutuesi më i ri në Bundesligë, shënuesi më i ri në Bundesligë dhe debutuesi më i ri në Champions. Halandi e përgëzoi dhe të paktën për një herë të vetme, mediat nuk e lidhën emrin e Borusias me emrin e norvegjezit, por me atë të Mukokos. Julian Brant shënoi golin e parë në 53’, me një gjuajtje nga 25-30 metra ndërsa Dortmundi goditi tre herë shtyllën. Lajmi i vetëm i keq ishte ai i dëmtimit të kapitenit Rojs, që shpresohet të mos ketë ndonjë gjë të rëndë. Borusia ka 42 pikë në vend të pestë, një pikë më pak sesa Frankfurti që luan me Lajpcigun.

Sfidanti.al