Më i vjetri dhe më i shpejti, Kristiano Ronaldo dhe rekordet e tij!

Në 1 maj 1948, ndërsa në Anglinë laburiste të pasluftës po festonin Ditën e Punëtorëve (me protesta, jo me piknik tek Liqeni), një sulmues i Arsenalit vendoste një rekord që mbetet në fuqi edhe sot. Roni Ruk (Rooke) kalonte barrierën e 30 golave në Premier Ligë në moshën 36 vjeç e 146 ditë. Kristiano Ronaldo sot, mund të mburret se është më i vjetri që kalon 30 golat në një nga pesë ligat më të mëdha të Europës, që nga dita kur këtë e bëri Ruku. CR7 arriti në 31 rrjeta në Serinë A në moshën 35 vjeç e 166 ditë. Për më tepër, ai u bë i pari lojtar që shënon të paktën 50 gola në 3 liga të tilla si Premier Ligë, La Liga dhe Seria A, me 84 në Angli, 312 në Spanjë dhe 51 në Itali (flasim për kampionatet). Jo vetëm kaq, por iu deshën vetëm 61 ndeshje për të arritur në 50 gola në Serinë A, ndërsa ish-rekordmeni Shevçenko pati nevojë për 68.

Sfidanti.al