Mançini nuk e fsheh Italinë: Isha besimplotë edhe 3 vjet më parë, sot edhe më shumë!

Dëmtimet kanë bërë punën e tyre dhe mesfusha e kaltër nuk do të ketë Sensin e Pelegrinin, por sidoqoftë përfaqësuesja e të mbiquajturit “Vendi i Bukur” (il bel Paese) nuk dëshiron të rrijë e fshehur. Trajneri Roberto Mançini ka punuar fort këto kohë dhe e ka ngritur nivelin, aq sa nuk mund të ketë krahasim me Italinë që u eleminua nga Suedia dhe nuk shkoi në Kupën e Botës në Rusi në 2018. “Kisha besim të plotë 3 vjet më parë kur e nisa këtë rrugë, – thotë Manço në prag të ndeshjes së hapjes së Europianit ndaj Turqisë në “Olimpiko”, – kam edhe më shumë tani. Shpresojmë të arrijmë në katërshen finale në “Uembli”. Kam bërë një letër të hapur, së pari për lojtarët e mi, pastaj për të gjithë. Duam që t’u japim kënaqësi njerëzve. Ndeshja e parë, gjithsesi, është më e vështira”. Italia ka arritur suksese të mëdha me Mançinin dhe pavarësisht se nuk cilësohet favorite për Europianin, merret seriozisht.

Sfidanti.al