Njihet në të gjithë botën për ngjyrën e saj të veçantë dhe ka qenë krenare në versionin e saj për dekada me radhë. “La Gazeta delo Sport” është njëra nga mediat e shkruara më të famshme të Europës dhe të gjithë botës me ngjyrën “pink” të letrës së faqeve të saj, por kur vjen puna tek kombëtarja e Italisë, edhe ajo e bën një përjashtim. “Patronia” e Xhiros së Italisë dhe e sportit në Apenine doli sot me letër me ngjyrë të kaltër, në shenjë patriotizmi dhe mbështetjeje për kombëtaren e futbollit të trajnerit Roberto Mançini, që nis sot aventurën në Euro 2020 (1). “Jemi të gjithë me të kaltrit”, është tituli i saj i madh, ndërsa fotoja në kopertinë është një zemër me tre ngjyra dhe ku janë stampuar të gjithë lojtarët e ekipit, bashkë me Mançinin. Italia pret Turqinë në stadiumin “Olimpik” të Romës në orën 21:00, ndërsa “La Gazeta” shkruan se Roma përqafon kombëtaren, dhe Mançini fton lojtarët që të nderojnë fanelën.
Sfidanti.al