Nëse dikush ka parë ndeshjen dhe nuk ka parë rezultatin, padyshim që ka menduar se Totenhemi ka fituar derbin ndaj Çelsit. Kush ka parë vetëm shifrat, por jo lojën, ka menduar se blutë kanë luajtur më mirë, por të dy këta pohime nuk i përgjigjen të vërtetës. Totenhemi bëri lojën dhe Çelsi mori pikët në derbin londinez të javës së dytë të Premier Ligës, luajtur në stadiumin mitik “Uembli”.
Poçetino pra humbi, dhe Konte fitoi, por nuk është ky thelbi. Argjentinasi ka ndërtuar një Totenhem të shkëlqyer, që luan futboll si rrallëkush jo në Angli, por edhe në Europë, ndërsa nuk mundet që ta bëjë menjëherë të madh një klub që prej kohësh nuk ka qenë i tillë. Mediat angleze shkruajnë për “mallkimin e Uemblit” për Spërsat, por është sërish hija e rëndë e një stadiumi historik për një ekip që ka dalë kampion në 1961, po ashtu kjo hije e pengon që të rrijë lehtë në majë të Premier Ligës. Nuk mund të ketë linçim për Poçetinon, me vetëm një blerje dhe një lojtar të larguar këtë verë.
Çfarë mund të thuhet për Antonio Konten? Pavarësisht se skuadra e tij luajti pak futboll, sërish italiani mund të lavdërohet që përballoi një presion të madh në një klub jo të zakonshëm anglez, si Çelsi i Abramoviçit. Aty ku trajneri largohet sipas humorit të presidentit, Konte ka treguar karakterin dhe po luan betejën e tij. Në mungesë të Hazarit dhe Kostës (që e ka larguar vetë), Konte u rikthyer sërish tek të mëdhenjtë.
Sfidanti.al