Largimi i Skënder Gegës nga Kukësi, sedra nuk pranoi që t’i bënin gjyqin për humbjet!

Nuk deshi që ta bënte veten për ta shkarkuar, apo për t’i bërë gjyqin, ndaj e hodhi vetëm hapin. Dihej prej kohësh se Skënder Gega është një njeri me shumë sedër dhe si i tillë nuk mund ta kapërcente lehtë katastrofën që Kukësi i tij pësoi me Partizanin. Trajneri tropojan dha dorëheqjen, me një deklaratë të shkruar të botuar në faqen zyrtare të klubit. Pas shifrave 1-4, Gega deklaroi se mori përgjegjësinë, madje kjo ndodhi për disa rezultate radhazi. Në tre ndeshjet e fundit, Kukësi pati një barazim 0-0 me Tiranën, si dhe humbjet me Partizanin dhe atë 0-1 me Kastriotin. Skuadra nënkampione e vendit në fuqi është e katërta në Superligë, plot 8 pikë prapa Vllaznisë së vendit të parë.

Gega nisi punën në verë me verilindorët duke pasur sukses në Ligën e Europës, pasi kaloi turin e parë eleminator ndaj bullgarëve të Sllavias së Sofies, ndonëse më pas u eleminua nga Volfsburgu i Gjermanisë. Gjithsesi, fillimi i sezonit në Superligë ishte negativ me dy humbje të njëjta, 0-2 me Tiranën dhe Partizanin. Tekniku vuajti edhe nga koronavirusi, madje u detyrua të kurohej në Stamboll për shkak të ndërlikimeve të gjendjes shëndetësore.

Në gjashtë ndeshje radhazi, Kukësi arriti pesë fitore e një barazim, por më pas ritmi ra dhe trajneri mendoi se ishte koha për t’u larguar. Gega dha dorëheqjen edhe nga Partizani në maj 2019, por kjo pasi fitoi titullin kampion. Zyrtarisht u deklarua se trajneri u largua për arsye personale, por burime pranë tij dhe pranë të kuqtë pohojnë se pati përplasje, sidomos me drejtorin sportiv, Olsi Rama.

Sfidanti.al