Nëse ke këtë emër dhe këtë histori, padyshim që duhet ta mendosh. Fjala titull po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në Shkodër, ndërsa Vllaznia vazhdon marshimin e saj në Superligë. Fitorja 5-1 ndaj Skënderbeut në “Loro Boriçi”, jo vetëm konfirmoi momentin e mirë të skuadrës së trajnerit Tomas Brdariç, por edhe e shkëputi edhe më shumë nga ndjekësit. Shkodranët kanë tani 25 pikë ndaj 19 të Partizanit, që u bë ndjekësi kryesor pas javës së 11-të. Protagonisti kryesor në fushë ishte sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj, që shënoi plot 4 gola. Vllaznia është ekipi që më shumë ka realizuar këtë sezon, plot 20 herë, pra gati dy rrjeta për ndeshje që duhet quajtur mjaft pozitive për standardet e Superligës shqiptare.
Ndeshja më e fortë u luajt pak më vonë, por mbeti e tillë vetëm si parashikim. Krejt ndryshe nga ç’pritej, Partizani dominoi të paktën me rezultat në “Elbasan Arena” duke fituar 4-1 e duke i shkaktuar Kukësit humbjen më të thellë në historinë e tij në elitë. Dakord, kuksianët kanë vetëm 7-8 vjet në Superligë, por kanë qenë një nga ekipet kryesorë. Asani shënoi në pjesën e parë, pastaj Bitri, Bardhi e Mala thelluan shifrat pas pushimit deri në 4-1, ky i fundit me 11-metërsh. Skuadra e trajnerit Skënder Gega mundi të shënonte vetëm një gol nderi, në sekondat e fundit, po me penallti, kur u tregua i saktë kapiteni Agim Ibrahimi.
Ndërkaq, përfundoi 1-1 sfida në Durrës mes Teutës e Tiranës. Kampionët kaluan të parët në avantazh me golin e Grent Halilit, por 20 minuta para fundit barazoi Kapllani. Teuta arriti Kukësin në kuotën e 17 pikëve, ndërsa Tirana ka 15, që do të thotë edhe më pak se 50 për qind të pikëve, diçka që e ka lënë tepër të mërzitur presidentin Refik Halili, ndërsa në ndeshjet e tjera, Kastrioti mundi 1-0 Laçin e Bylisi 3-1 Apoloninë.
Sfidanti.al