Lacio mund Juventusin dhe fiton Superkupën e Italisë, shkëlqen Tomas Strakosha!

Nëse titujt kanë qenë 8 radhazi, ky trofe nuk i ngjit edhe aq. Juventusi doli i mundur nga stadiumi i Riadit në Arabinë Saudite, i mposhtur 1-3 nga Lacio në finalen e Superkupës së Italisë. Ishte disfata e 4-ët në 8 sfida pa ndërprerje, pra dominimi i “Zonjës së Vjetër” nuk është si ai në Serinë A. Kryeqytetasit luajtën më mirë në pjesën e parë, që u mbyll në barazim, ndërsa ishin më praktikë pas pushimit, edhe pse loja ishte e ekuilibruar.

Luis Alberto, Senad Luliç dhe Danilo Kataldi ishin autorët e golave për fituesit, ndërsa Paulo Dibala barazoi përkohësisht. Nuk bëri, pra, punë ambicia e jashtëzakonshme e Kristiano Ronaldos, sepse Lacio u duk se e deshi më tepër Superkupën, ndaj një Juventusi të përqëndruar më shumë tek titulli dhe Championsi. Tomas Strakosha, portieri i Lacios dhe i kombëtares shqiptare, bëri detyrën dhe shmangu ato rreziqe që u krijuan para portës së tij, ndërsa nuk pati faj te goli i pësuar.

Ishte kjo Superkupa e pestë e fituar nga Lacio, duke qenë tani pranë klubeve më të suksesshëm italianë, si Juventusi që ka 8, Milani 7 dhe baraz me Interin. Jo pak për një klub të Italisë Qendrore, që këtë sezon po tregon se është rritur shumë. Pak ditë më parë e mundi Juventusin 3-1 në kampionat, tani i mori Superkupën, ndërsa me shumë gjasë do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

Sfidanti.al