De Gea tradhëton Mancester Junajtid, Uatford e mund 2-0

Mancester Junajtid dështon në tentativën e tij për të arritur Shefild Junajtid në vendin e pestë të klasifikimit në Premier League angleze teksa u mposht në fushën e Uatfordit me rezultatin 2-0 me këtë të fundit që regjistroi fitoren e dytë në kampionat. Djajtë e Kuq kishin në dispozicion  të paktën për në stol pas kaq muajsh, Pol Pogba dhe në këtë ndeshje kërkuan që të vijonin me traditën e tyre që I ka parë fitues në 16 nga 17 ndeshjet e fundit. Por Uatford që është në fundin e klasifikimit kërkonte me dëshpërim pikët.

Ndeshja nisi me ritme të kënaqshme, por që me kalimin e minutave ra dhe emocioni I parë I vërtetë I 45 minutave të para ishte një mundësi shënimi e Lingard që nuk shënjestroi saktë në portën e Uatford duke e hedhur poshtë këtë mundësi. Fati I ndeshjes u vendos në harkun e pak minutave në fillimin e pjesës së dytë.

Në minutën e 50  kur në një goditje dënimi të ekzekutuar nga lojtarët e Uatfordit, Sarr kërkoi një gjuajtje fluturimthi që por që nuk kishte shumë pretendime. Por De Gea nuk e priti, topi iu përplas në fytyrë më pas në shtyllë për t’u rrotulluar drejt rrjetës, një gol që I dha një goditje Mancester Junajtid që opak minuta më vonë e pa veten në vështirësi të tjera pasi Van Bisaka shkakton faull në zonë ndaj Sarr dhe arbitri akordoi 11 metërsh për Uatford. Dinej gjuan në qendër, De Gea lëvizi dhe në minutën e 54, Uatfordi pa të dyfishonte rezultatin.

Në këtë pikë, Solskjaer vendosi të hedhë në fushën e lojës Pogba për të rihapur ndeshjen dhe Mancester Junajtid krijoi disa raste të mira, por Grinud nuk u tregua I saktë, ndërsa më pas vetë Pogba, Grinud dhe Rashford panë që tentativat e tyre u pritën nga portieri Foster. Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e dytë në kampionat të Uatfordit 2-0, ndërsa për Djajtë e Kuq vjen një frenim I papritur.

Sfidanti.al