E kush mund ta mendonte se futbollistët e nivelit botëror të Bajernit të Mynihut do të mbeteshin pa fjalë nga një shqiptar. Ja pra, që kjo ka ndodhur kur djali 28-vjeçar i quajtur Fabian Duro, ka dhënë shfaqjen e tij në kompleksin stërvitor të bavarezëve duke xhongluar topin për disa minuta me radhë. Kaq sukses pati Duro saqë klubi gjerman e postoi videon e xhonglimeve të tij në faqen e tij zyrtare. Video ishte gati 3 minuta dhe përfshinte mbajtjen e topit në ajër pa rënë në tokë, në forma nga më të ndryshmet, me goditje me kokë, me këmbë, me pjesë të tjera të trupit dhe me kombinime. Yjet e Bajernit, që fitojnë miliona euro në sezon, nuk lëvizën për asnjë sekondë gjatë shfaqjes, dhe në fund e duartrokitën fort Duron. “Sot kam bërë shfaqje për Bajernin para stërvitjes, – shkroi Duro në rrjetet sociale, – dita më e bukur e jetës sime padyshim”.
B. Kuka