Adriano Galiani ndoshta edhe tani nuk e beson se Milani e ka mundur Juventusin dhe ndodhet në vendin e dytë në renditje. Kështu transformohet edhe një njeri i fortë dhe fitues i madh, që ka jetuar epokë me fitore Championsi dhe Serie A. “Më shumë sesa e mendoja, e shpresoja vendin e dytë të Milanit, – u shpreh ai për mediat italiane, – jemi vetëm 2 pikë larg Juventusit”. “Gjithsesi, – shton krahu i djathtë i Berluskonit, – vjet luftova thikë më thikë me gazetarët duke këmbëngulur se skuadra jonë ishte më e mirë sesa vendi që mbante në renditje”.
Trajneri Montela nuk diskutohet që vlerësohet shumë, por Galiani pyetet për dy “margaritarët” e rinj. Donaruma? “Xhixhio, shpresoj të mbetet për shumë vite me ne, – thotë ai për portierin, – jam i bindur se do të jetë pasardhësi i Bufonit në kombëtare, ndonëse numri 1 i Juventusit mbetet shumë i madh”. i dyti talent është Lokateli. “Kur Manueli shënoi, m’u kujtua menjëherë Xhani Rivera që i shënoi gol Juventusit në 1961 kur ishte gjithashtu 18 vjeç, – kujton Galiani, – uroj që Manueli të ketë po atë karrierë”.
B. Kuka