Është e vështirë ta quash një 21-vjeçar me emrin “yll”, edhe pse moda shkatërruese e tabloidëve nuk pyet për normalitetin. Një “yll” i tillë shtë Rahim Stërling, futbollisti i Mançester Sitit, i cili ra në sy për një veprim jo të zakonshëm të futbollistëve profesionistë që paguhen shumë. Djaloshi që merr 200 000 stërlina në javë, u fotografua duke u kthyer nga pushimet me një fluturim fare të lirë, prej vetëm 80 stërlinash.
Stërling ishte në Malaga rreth një muaj më parë, dhe po kthehej në Mançester ndërsa u fotografua në avionin e linjës “IziXhet” (EasyJet). i dëmtuar, ai nuk mori pjesë në ndeshjen e Botërorit të Anglisë, por zgjodhi të kalonte disa ditë në Spanjë për pushime me të dashurën e tij. Disa nga udhëtarët në avionin popullor u habitën shumë kur panë Stërlingun (nuk ia vlen në fakt të mahnitesh kaq shumë), dhe duket ishin ata që i bënë fotot.
Tabloidi britanik, “Deili Meil”, që e ka si punë kryesore të rrëmojë në jetën private të të tjerëve, bëri një llogari dhe i doli se Stërling mund të blejë 2500 bileta në javë me çmimin 80 stërlina, me rrogën që merr, pra e cilësoi krejt të pazakonshëm veprimin e tij. Mbetet të pyetet, nëse Stërling e bëri këtë si “gjirokastrit” pra nga koprracia, për thjeshtësi apo për hipokrizi. Ndoshta, pak nga të gjitha, pasi thjeshtësia e një njeriu sikur nuk mund të ekzistojë kur fiton 200 000 stërlina në javë.
B. Kuka