Shqipëria fluturon drejt Gjermanisë dhe ëndrra është kthyer pothuajse në realitet. Aq sa tani mund ta presim plot kërshëri mbrëmjen e 2 dhjetorit, dita kur do të hidhet shorti i fazës finale të Euro 2024. Ceremonia do të zhvillohet në Elbphilarmonie të Hamburgut, një nga dhjetë qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e evropianit. Në qytetin verior do të luhen katër ndeshje grupesh dhe një çerekfinale. Për fazën finale, do të jenë gjashtë grupe me nga katër skuadra. Kualifikohen për më tej dy të parat e çdo grupi dhe katër të tretat më të mira. Në hedhjen e shortit, skuadrat do të ndahen në katër vazo, sipas rankimit të bazuar në renditjen përfundimtare të kualifikueseve.
Gjermania do të jetë në vazon e parë bashkë me pesë vendet e parë të rankimit evropian, ndërsa tri skuadrat që kualifikohen nga playoffi do të jenë në vazon e katërt. Në rankimin e bazuar në kualifikuese nuk do të llogariten pikët e marra me skuadrat e renditura në vendin e gjashtë. Grupi i Shqipërisë ka pesë skuadra dhe në këtë aspekt, dy ndeshjet e mbetura, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, marrin rëndësi të veçantë, jo thjesht për kualifikimin, që është objektivi kryesor e që matematikisht nuk e kemi arritur ende. Çdo vazo e mundshme më lart mund të sjellë një short më të mirë dhe me formulën e evropianit, Shqipëria mund të bëjë më mirë se në Francë 2016.
sfidanti.al