Një gol i Otamendit në fillim të ndeshjes ka lejuar Argjentinën të kalojë me një fitore minimale dhe me shumë vështirësive Paraguajin në raundin e tretë të grupit të Amerikës së Jugut për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Madje të shkëputet dhe nga Brazili, që është ndalur në shtëpi në një barazim 1-1 me Venezuelën.
Kampionët e Botës në fuqi janë në pikë të plota pas 270 minutash lojë, por ajo që duhet evidentuar është zënka që ka shpërthyer në minutat e fundit të ndeshjes së luajtur në “Monumental” të Buenos-Aires. Lionel Mesi dhe Antonio Sanabria kanë patur një debat të ashpër që është mbyllur, sikurse kanë fiksuar dhe telekamerat, me një pështymë të qendërsulmuesit të Torinos ndaj lojtarit të jashtëzakonshëm dhe yllit të Inter Majamit.
Një episod i tillë dhe i dënueshëm ka bërë xhiron e botës dhe është shpërndarë në rrjetet sociale në pak minuta dhe që, për fat të mirë nuk është parë nga gjyqtari, do të mund t’i kushtonte shtrenjtë Sanabrias, i cili është kthyer në kombëtare pas më pak se dy vite mungesë.
I pyetur për sa ka ndodhur në pas ndeshje, Mesi ka anashkaluar dhe ka ngrirë Sanabrian me këto fjalë: “Nuk e di as dhe se kush ishte ky djalë, më mirë të mos flasë sepse ndryshe do të shkojë më pas të flasë për t’u bërë i famshëm”. Kushedi nëse Mesi ishte i sinqertë apo jo, kjo që nga momenti që Leo dhe Antonio kanë frekuentuar, edhe pse për pak kohë, të njëjtën qendër stërvitore, atë të Barcelonës. Apo që nga momenti që Sanabria është rritur në ambientin blaugran dhe ka luajtur për skuadrën B mes 2013-ës dhe 2014-ës.
sfidanti.al