Shpesh bëhet pyetja se cili është lojtari më i madh për të gjitha kohët në futboll, dhe emrat kanë qenë të ndryshëm, duke nisur që nga Moreno i Argjentinës në vitet 1940-të, Di Stefano, Pele, Maradona apo Mesi. Për Kristiano Ronaldon, megjithë madhështinë e shifrave dhe të etikës së jashtëzakonshme profesionale, vështirë të thuhet se arrin te këta legjenda. Ksavi Hernandez, trajneri i Barcelonës, u pyet përpara ndeshjes Napoli-Barça në Ligën e Europës, dhe pati një mënyrë krejt të vetën për të shprehur mendimin. “Maradona pati një ndikim të jashtëzakonshëm në futbollin botëror, – tha ai, – një legjendë e madhe, më i madhi i epokës së tij. Nëse nuk do të ishte shfaqur Lionel Mesi, tani do të ishim duke folur për lojtarin më të madh të historisë”. Për Ksavin, është Mesi numri 1 dhe kjo ndoshta sepse kanë luajtur bashkë. Me statistika golash, asistesh dhe trofeshë padyshim Leo është më lart (ashtu si Ronaldo), por personaliteti i Diegos që fitoi i vetëm Serinë A me Napolin dhe Kupën e Botës me Argjentinën, është i paarritshëm.
Sfidanti.al