Kritikojeni, por puthja e Bojatës në Bundesligë meriton një monument!

Vetëmohimi nuk shihet me sy të mirë këto kohë, madje jo vetëm kur është fjala për t’u hedhur në zjarr për të ndihmuar të tjerët. Shqetësimi më i madh i momentit është ruajtja e distancës për të shmangur infektimin nga virusi, gjë që mund të ndihmojë që jeta të kthehet njëfarësoj në normalitet. Gjithsesi, futbollisti i Hertës së Berlinit, Dedrik Bojata, nuk ngurroi të puthte fort në faqe shokun e tij të skuadrës, Marko Grujiç, pasi ky shënoi një gol. Momenti i historik, që sfidon rregullat për t’u ruajtur nga korona, u fiksuar në kamera dhe në aparatet fotografike, për t’u shpërndarë në të gjithë botën, ndërsa aty dallohet lojtari tjetër i Hertës, Vedat Ibisheviç, që duket paksa i shqetësuar për atë që po shikonin sytë. Herta pati edhe një moment disa ditë më parë, kur Salomon Kalu bëri një shaka “pa i hedhur shumë kripë”, duke filmuar veten ndërsa ngacmonte shokët e skuadrës, madje njërit i ndërpreu edhe testimin për virusin. Sidoqoftë, guximi i Bojatës tregon se njeriu e merr në sy rrezikun, për të qenë sërish njeri dhe qenie shoqërore. Ai mund të dënohet, por e meriton një monument.

Sfidanti.al