Shakaja e Klopit: Në izolim mësova që Geri Nevil di nga çdo gjë!

Aftësia e tij është se është simpatik dhe nuk bën armiq, e kjo jo nga frika, por sepse e kupton se nuk ia vlen. Gjithsesi, Jurgen Klopi është i famshëm për batutat e tij, për faktin se pranon ta nxjerrë veten si “kastravec” (që nuk është), ta verë në lojë, apo të pranojë që ta venë në lojë, duke e quajtur normale. Gjithashtu, me karar, ngacmon edhe të tjerët, por në mënyrë të hollë dhe me humor. Batuta e tij e fundit kishte  të bënte me ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, sot analist televiziv.

“Këto kohë izolimi nuk është se kam mësuar shumë gjëra, – tha trajneri i Liverpulit, – përveçse kam mësuar që Geri Nevil ka një opinion mbi gjithçka, në mënyrë absolute. Kjo është e pabesueshme”. Ngacmimi godet në shenjë, por jo thjesht për Geri Nevilin, por në përgjithësi për analistët televizivë, që pyeten për gjithçka dhe përgjigjen për gjithçka. Një lloj “qarku i mbyllur” që kryhet me shumë lehtësi, pasi analisti nuk ka për të dhënë llogari për ato që flet, dhe as t’i provojë në praktikë, siç duhet të bëjë Klopi, Guardiola apo Murinjo.

Sfidanti.al