Zllatan Ibrahimoviç për një herë, ndoshta të vetme, nuk foli për veten dhe nuk u mburr. Superylli suedez i Milanit, që mezi po pret që të kthehet në fushë në Serinë a, i bëri “hosana” Bundesligës gjermane, që e rinisi rrugëtimin e saj. “Ata thonë, ata bëjnë”, – shkruajti Ibra në Instagram ku ndiqet nga 42 milionë njerëz, diçka që i përgjigje shprehjes shqip se “ata e mbajnë fjalën që japin”, ose “ata kanë vepra, jo fjalë”. Supeylli tjetër, ai i Paris SG dhe Francës, Kilian Mbape, gjithashtu i bëri nderim kampionatit gjerman.
“Dortmund-Shalke, Bundesliga u kthyer”, ishin fjalët e thjeshta të kampionit të botës, që për vete e ka prerë biletën për të mos luajtur, pasi qeveria franceze e anuloi pjesën e mbetur të sezonit. Duket që Mbapeja paska ndjekur ndeshjen kryesore të javës në Gjermani. Ilkai Gyndogan, ish-ylli i Dortmundit, sot me Mançester Sitin në Angli, shkruajti: “Konkluzioni i parë pas 90 minutave, siç pritej shumë e çuditshme pa tifozë, por sidoqoftë një kënaqësi e madhe që më në fund patëm rast të shihnim sërish futboll, pas një kohe kaq të gjatë”. Geri Lineker, legjenda e dikurshme e sulmit të Anglisë, sot komentator për BBC-në, postoi një foto nga ndeshja Dortmund-Shalke, dhe e shoqëroi me muzikën e këngës “Zëri i heshtjes” (Sound of Silence).
Sfidanti.al