Kritika e Krosit, mos ka ardhur koha që Lëv të ikë nga Gjermania?!

Kur një trajner humbet mbështetjen e lojtarëve të tij, padyshim që ai duhet të bëjë gati valixhet. Joakim Lëv ka bërë shërbime të mëdha për Gjermaninë, duke e shpallur edhe kampione të botës në 2014, por pas gati 7 vjetësh duket se po i dalin nga duart “frerët” për të zotëruar skuadrën. Kritikat kanë qenë të mëdha për përjashtimin nga kombëtarja të Tomas Mylerit, Zherom Boatengut dhe Mats Humelsit, por sidomos kjo u bë më e rëndë pikërisht tani, kur kundër tij doli një nga lojtarët më të mirë të tanishëm të Gjermanisë, Toni Kros. Mesfushori i Realit të Madridit foli shumë hapur në një intervistë për “Skaj Sportin”. “Mendoj se në fund të fundit duhen menduar gjërat më përpara, – tha ai, – unë po vë në pikëpyetje nëse plani i trajnerit funksionoi ashtu siç ai mendonte. Jam shumë i ndërgjegjshëm (për këtë që them) sepse unë jam lojtar i kombëtares, për fat nuk duhet ta marr këtë vendim, dhe sepse unë kam luajtur me ta”. Tomas Myler, Boatengu dhe Humelsi vazhdojnë të luajnë në nivele të larta në Bundesligë, dhe kërkesa ka qenë e fuqishme sidomos për sulmuesin bavarez. Që të tre lojtarët kanë së bashku 246 ndeshje për Gjermaninë. Tani, duket se është vënë në pikëpyetje vetë Joakim Lëvi.

Sfidanti.al