Është vetëm fillimi, por nëse është i mirë quhet gjysma e punës. Kristjan Asllani e shfrytëzoi menjëherë rastin që iu dha duke shkëlqyer në miqësoren e parë të Interit në këtë fazë përgatitore. Mesfushori i kombëtares shqiptare, i ardhur nga Empoli, u aktivizua si titullar nga trajneri Simone Inzagi, në mungesë edhe të kroatit Marcelo Brozoviç. Ai ishte në regji në krah të Agumes, ndërsa në krahë ishin Belanova dhe Gosens. Përgatitorja në kompleksin sportiv “Apiano Xhentile” ishte ndaj amatorëve të Milanezes dhe përfundoi 10-0, ndërsa Asllani e gjeti rrugën e rrjetës në fundin e pjesës së parë, pas një kombinimi me Romelu Lukakun.
Kjo pjesë u mbyll 6-0, ndërsa pas pushimit Inzagi bëri zëvendësime të shumta duke i dhënë minutazh lojtarëve më të rinj, edhe pse gjithashtu Asllani është mjaft i ri, vetëm 20 vjeç. Kjo ishte prova e parë e zikaltërve që do të kenë më pas sfida shumë më të vështira, dhe u quajt pozitive. U dalluan dy sulmuesit kryesore, Lukaku dhe Lautaro Martinez. Belgu i ardhur huazim nga Çelsi shënoi një gol si dhe shërbeu asistin për Asllanin, ndërsa argjentinasi realizoi dy herë.
Sfidanti.al